Polis reagon për mospërfshirje të gruas në KPF në Shtime dhe Lipjan

Organiziata Joqeveritare POLIS ka dërguar një Komunikatë për Media për redaksinë shtimepress, lidhur me mospërfshirjen e gruas në Komitetin për Politike dhe Financa në Komunat Lipjan dhe Shtime, më poshtë lexoni reagimin.

POLIS, duke qenë një organizatë joqeveritare aktive në monitorim, por edhe e përfshirë në politikëbërjen lokale, shprehë një opinion të saj në lidhje me disa zhvillime rreth konstituimit të komiteteve të Kuvendit Komunal në Lipjan dhe Shtime dhe për (mos) marrjen parasysh parimin e përfshirjes së barabart gjinore.

Duke jetuar në një shoqëri, ku roli dominant dhe vendimmarrës është ende në duart e gjinisë së ‘fortë’, duhen patjetër veprime shtytëse për të i japur më shumë hapësirë dhe përfshirje gjinisë tjetër. Kuota gjinore nuk do të ishte promotori më i mirë barazisë gjinore, por ja që po është si duket i vetmi në këtë realitet tonin shoqëror dhe qeverisës. Ndonjëherë, janë vetë gratë që nuk e parapëlqejnë përfshirjen përmes kuotizimit, por në shumë raste janë edhe vet burrat që nuk do të lëshonin pe, që gruaja të përfaqësohet denjësisht.

Sigurimi i barazisë midis gjinive është vlerë themelore për zhvillimin demokratik të një shoqërie. Ligji për Barazinë Gjinore në Kosovë përcakton se “Përfaqësimi i barabart gjinor në të gjitha organet legjislative dhe gjyqësore dhe institucionet tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.”

Nëse i referohemi Kuvendit të Komunës së Lipjanit, në kontekstin e përfshirjes së grave në themelimin e Komiteteve të saj, lë për të dëshiruar mjaft shumë. Komiteti për Politikë dhe Financa në Lipjan është themeluar në seancën e tretë të mbajtur me 22.12.2017. Dhe nga propozimet e anëtarëve të subjekteve për t’u përfshirë në KPF nuk qenë të gatshëm asnjë prej subjekteve të propozojnë anëtare gra, dhe si i tillë u miratua nga Kuvendi. Si pasojë e saj, ky vendim është kthyer përsëri në Kuvend nga ana e MAPL-së me qëllim të përfshirjes gjinore duke përcaktuar kuoten gjinore prej 30% të jenë gra. Më shqetësuese është fakti që gjatë shqyrtimit të kësaj pike në seancën e mbajtur me datën 31.01.2018, Kuvendi Lipjanit nuk qe në gjendje të zgjidhë këtë çështje dhe si rrjedhojë kjo pikë u vendos që të shtyhet për seancën e ardhshme. Duke e parë rrjedhën e debatit gjatë shqyrtimit të kësaj pike, POLIS vlerëson lartë gatishmërinë e dy anëtarëve të kuvendit z. Afrim Miftari nga radhet e AKR-së dhe Selatin Retkoceri nga radhet e VV-së të cilët me vetë dëshirë lëshuan vendin përfaqësueseve gra nga subjektet e tyre. Ndërsa nga dy subjetet më të mëdha në Kuvendin e Komunës LDK dhe PDK, përfshirë edhe AAK-në, nuk arritën të gjejnë zgjidhjen e mundshme, dhe si rrjedhojë e saj KPF nuk arriti të konstituohet.

Në kuvendin Komunal në Shtime organet e Kuvendit u konstituuan në seancën e mbajtur me datë 31.01.2018. Në Komitetin për Politikë dhe Financa nuk është përmbushur kuota gjinore prej 30%. ËshtË vetëm një anëtare gra, është Kryesuesja e Kuvendit që shkon me automatizëm dhe e propozuar nga subjeti politik PDK. Me qenëse në KPF të Shtimes shumica e anëtarëve përbëhet nga opozita, natyrshëm i’u takojnë edhe më shumë anëtarë në KPF, ku gjithësej janë katër prej tyre. Poashtu, vërehet se nuk qenë në gjendje që një prej tyre të jetë e propozuar anëtare grua, dhe si rrjedhojë e saj ky Komitet u aprovua nga Kuvendi, duke mos përfshirë kuoten gjinore prej 30%.

Një gjë e tillë dëshmon se se gratë mund të përfaqësohen në struktura të ndryshme qeverisëse dhe politikëbërëse vetëm në dy raste. Atëherë kur janë shumë të fuqishme intelektualisht dhe politikisht, dhe vendi apo pozita jo vetëm që është e merituar, por është e paprekshme nga gjinia tjetër. E këto janë raste të rralla në shoqërinë tonë. Dhe momenti tjetër është kur vjen në funksion parimi i kuotës.

Derisa, në rastet e ekzistimit të kushteve të barabarta, qofshin intelekuale, përvojës sociale dhe politike, akademike e kështu me radhë, cilado pozitë që të jetë ajo, është e ‘rezervuar’ për burrat. Kjo, tregon më së mëri se thirrja për më shumë barazi gjinore në vendimmarrje dhe institucione politike, por edhe partiake nuk është serioze. Sepse, atëherë kur është në pyetje, ulësja e pushtetarit, edhe me fuqinë më vogël në kuptim të vendimmarrjes publike, ‘duhet’ të jet i ulur një burrë.

Andaj, duke parë këtë situatë të krijuar në Komunën e Lipjanit, dhe po thuaj se e njejta sitautë e krijuar në Komunën e Shtimes, edhe pas vendimit të lëshuar nga MAPL, konsideroj se kjo situatë duhet të gjejë zgjidhjen më racionale. Gabimi më i madh do të ishte të përsëritet një gabim i bërë paraprakisht. Andaj, për Kuvendin Komunal të Lipjanit sugjerojmë të gjejnë një zgjidhje sa më parë për të mos zvarritur më shumë funksionalzimin e Komitetit për Politikë dhe Financa. Derisa, për Kuvendin e Komunës së Shtimes sugjerojmë që vendimin e marrur të e rishikojnë para se MAPL të e rikthej si vendim jo të ligjshëm, dhe të e plotësoj edhe me një anëtare grua.

POLIS, mbetet me shpresë se ky shqetësim do të merret në konsideratë, derisa shprehë gatishmërinë që të ofroj mbështetje për të e zgjidhur këtë proces.

Me respekt,

Organizata POLIS

Data: 02.02.2018

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *