Komuna e Shtimes e udhëhequr nga kryetari Qemajl Aliu, i vetëquajtur “çlirimtar”, po akuzohet se ka manipuluar një tender për kamera. Këto akuza vijnë pas dyshimeve se specifikat teknike të tenderit janë përgatitur për ta favorizuar një prodhues të veçantë kinez, duke përjashtuar kështu konkurrencën e drejtë dhe të hapur nga kompani të tjera vendase dhe ndërkombëtare. Në këtë drejtim, një kompani ka ngritur ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke pretenduar se praktikat e komunës janë në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP), shkruan Demokracia.com.
‘Rregullimi dhe instalimi i kamerave në qytet dhe në fshatra” është tenderi që ka një vlerë të parashikuar prej 41,500.00 euro, i publikuar më 17 qershor. Shuma e parashikuar për realizimin e këtij projekti është ndarë në dy vite buxhetore: 11,500.00 euro për vitin 2024 dhe 30,000.00 euro për vitin 2025. Megjithatë, dyshimet kanë lindur se specifikimet teknike të tenderit janë formuluar për të favorizuar një prodhues të caktuar, “Tiendy”, një kompani kineze me të cilën shumica e firmave importuese në Kosovë nuk kanë kontrata.

Ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit është dërguar nga kompania “Mtrix IM” sh.p.k.
Në dokumentet e siguruara të ankesës pretendohet se specifikimet teknike për tenderin përputhen në mënyrë të përsosur me produktet e prodhuesit “Tiendy”, duke favorizuar kështu vetëm këtë kompani dhe duke e bërë të pamundur konkurrimin e ndershëm të kompanive të tjera. Në ankesën e paraqitur nga kompania “Mtrix IM” sh.p.k., theksohet se kjo praktikë është në kundërshtim të hapur me nenin 7 të LPP-së, duke reduktuar ose eliminuar konkurrencën e lirë mes operatorëve ekonomikë.
“Dëshmia e kërkuar dokumentare: Autorizim nga prodhuesi. Sipas specifikimeve teknike, ju si autoritet kontraktues keni favorizuar prodhuesin Tiendy, gjë që është në kundërshtim me LPP-në. Bashkangjitur gjeni dëshmi se specifikimi teknik është komplet i përshtatur për Tiendy, andaj ju lusim si OE që ta rishqyrtoni këtë pikë dhe të ndryshoni specifikimet teknike pasi që është duke u bërë favorizim vetëm i një kompanie, e cila mban autorizimin për shitje dhe instalim të po të njëjtit brand Tiendy. Po ashtu edhe për NVR është favorizim i brandit Tiendy, pra komplet projekti i është përshtatur prodhuesit Tiendy gjë që bie ndesh me LPP-në, favorizim i hapur dhe mbështetje e vetëm një kompanie, duke mos lejuar ofertimin e kompanive të tjera pasi që autorizimi dhe specifikimi teknik na dërgojnë vetëm te një brand Tiendy”, thuhet në ankesën e kësaj kompanie drejtuar OSHP-së, e cila ka bashkëngjitur edhe provat e veta për përshtatjen e kritereve.



Pra, siç shihet, kompania ka kërkuar që vetëm të bëhet përmirësimi i kritereve, në mënyrë që të lejohet gjithëpërfshirje, deri sa OSHP të marrë një vendim, Komuna e ka pezulluar këtë aktivitet të prokurimit. /Demokracia.com/