Një tender për mirëmbajtjen e ndriçimit publik në Komunën e Shtimes ka nxitur dyshime për shkak të çmimeve të larta dhe shumë të ulëta të dyshuara në oferta. Tenderi, i cili ka një vlerë totale prej 150,000 euro, përfshin çmimin absurd të 15 euro për një metër kabllo që zakonisht kushton vetëm 60 centë. Kjo ka ngritur shqetësime për keqpërdorimin e fondeve publike, shkruan Demokracia.com.
Tenderi për mirëmbajtjen e ndriçimit publik në Komunën e Shtimes po zvarritet prej disa muajsh, ndërkohë që procesi për realizimin e tij ka nisur që nga marsi i këtij viti. Kompanitë në garë dyshojnë se komuna po insiston për të përzgjedhur operatorët ekonomikë që kanë vendosur çmime manipulative lidhur me këtë tender.
Lidhur me tenderin “Mirëmbajtja dhe zgjerimi i ndriçimit publik në qytet dhe fshatra – kontratë kornizë 24 muaj”, procesi i prokurimit u iniciua më 7 mars 2024, ku Komuna e Shtimes bëri njoftimin publik për mirëmbajtjen e ndriçimit publik, me një vlerë kontrate prej 150,000 euro. Hapja e ofertave u bë më 3 qershor 2024, duke përdorur kriterin e çmimit më të ulët për dhënien e kontratës.
Ka pasur ankesa se komuna e Qemajl Aliut ka vendosur kritere të kundërligjshme në dosje të tenderit, por të njëjtat janë hedhur poshtë nga Komuna e Shtimes.
Ndërkohë, më 4 korrik, komuna e ka ngarkuar në E-prokurim dokumentin “Vendim i AK-së” me të cilin ka njoftuar se e ka rekomanduar për kontratë grupin e kompanive “Tala Engineering” SHPK, “Construction Group” SHPK dhe “Euro Raketa” SHPK. Vlera e ofertës ka qenë 292.67 euro.

Në këtë tender është përdorur procedura me poentim të çmimit. Një nga format më të shpeshta të keqpërdorimeve është përdorimi i kësaj procedure, ku autoriteti kontraktues “nuk e di” sasinë e artikujve dhe vendos sasinë “një” për secilin artikull. Pastaj, përmes poentimit të çmimit është vendosur për fituesin e kontratës. Pra, komuna nuk ka dalë fare në terren për të identifikuar nevojat e veta, por vetëm ka futur të gjithë artikujt që duhen për mirëmbajtjen e ndriçimit.
Komuna ka vendosur fiks 61 artikuj, si p.sh. “Furnizimi me trafo për trup LED 50W dhe montim” dhe “Furnizim dhe montim i poç efikas – 40W, tension pune 90-240/50-60Hz”. Sasia për secilin artikull ka qenë 1. Kompanitë në garë kanë vendosur çmimin për secilin artikull dhe në fund është bërë mbledhja e çmimeve. Në 61 artikujt ku kompania e rekomanduar për kontratë ka vendosur çmimet, shuma totale ka dalë 292 euro. Komuna do të bëjë porosinë e vetëm atyre artikujve që i paraqitet nevoja në terren dhe në momentin që arrin shuma 150 mijë euro do të ndalet kontrata, gjë që shpesh është e mundshme të ndalet pa u bërë 24 muaj.

Dyshimet janë se konsorciumi fitues ka vendosur çmime tejet të larta në disa artikuj që komuna mund të porosisë, ndërsa në disa artikuj të tjerë ka vendosur çmime shumë të ulëta që komuna nuk do t’i porosisë.
Kompania “Toni Inxhiniering SHPK” përmes ankesës së dorëzuar në OSHP pretendon se është eliminuar padrejtësisht nga procesi i tenderimit, pavarësisht se ka përmbushur të gjitha kërkesat e përcaktuara. Kompania parashtroi kërkesë për rishqyrtim më 9 korrik 2024, e cila u refuzua nga Komuna e Shtimes pa një arsyetim të qartë. Në ankesën e saj, kompania ngre akuza për shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik. Sipas “Toni Inxhiniering SHPK”, komuna ka manipuluar dëshmitë e dorëzuara dhe ka favorizuar një kompani tjetër me çmim më të lartë, duke shkaktuar dëm ekonomik dhe duke shkelur parimin e konkurrencës së ndershme.
Një nga pretendimet është çmimi i kabllove të ofruara në tender. Sipas dokumenteve që kjo kompani ka pasur qasje, Komuna e Shtimes me taksat e qytetarëve të saj do të paguajë 15 euro për një metër kabull 2×16 mm në tenderin për mirëmbajtjen e ndriçimit publik. Ndërkohë, çmimi i tregut për këtë lloj kablle është vetëm 0.60 euro, duke bërë që komuna të paguajë 25 herë më shtrenjtë. Për shembull, një bobinë kabull prej 1000 metrash që blihet për 600 euro, do t’i shitet komunës për 15,000 euro.
Përveç kësaj, sipas kompanisë ankuese, pozicione me çmime jo normalisht të ulëta janë: poz. 2, 6, 7, 16, 17, 21, 22, 23, 24, 25, 26, 31, 32, ndërsa pozicione jo normalisht të larta janë: poz. 3, 36, 39, 41, 42. Në pikën 1, ndërsa në pikën 2 janë poz. 1 dhe poz. 29. Për pjesën e dytë janë këto pozicione jo normalisht të ulëta: poz. 3, 4, 5, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 17, 18, 25, 26, 30, 31, 33, 34, 36, 37, 38, 40, 41, 42, 44, 45, 46, 47, 48, 49, 50, 51, 55, 58.
“Për të gjitha këto pozicione si dëshmi mund të ofrojmë fatura të rregullta me çmime të tregut të Republikës së Kosovës”, thuhet në ankesë.
Tenderi aktualisht është pezulluar deri sa OSHP-ja ta trajtojë këtë rast. /Demokracia.com/