Shtime, 13 shtator 2025 – Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Shtimes, Dr. Përparim Ramusa, sot bëri homazhe pranë varrezave të dëshmorëve të UÇK-së, në fshatin Mollopolc, në nderim të dëshmorit të kombit Skënder (Zeqir) Salihaj – “Mensuri”, në 27-vjetorin e rënies së tij heroike.
Në këtë ditë përkujtimore, Dr. Ramusa theksoi se sakrifica e dëshmorëve është themeli mbi të cilin u ndërtua liria dhe pavarësia e Kosovës:
“Lavdia e dëshmorëve është udhërrëfyesi ynë i përhershëm. Sot e përkujtojmë me respekt të thellë Skënder Salihajn dhe të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë. Përkushtimi im dhe i gjithë ekipit tim është që ta çojmë përpara ëndrrën e tyre për një Shtime dhe një Kosovë më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të barabartë.”
Dwshmori Skënder Salihaj, ishte një nga luftëtarët më të dalluar të pikës së Rancës. Që në fillimet e luftës në Drenicë, ai u radhit në radhët e luftëtarëve të Llapushnikut, ku krahas tij luftuan me dhjetëra djem nga Komuna e Shtimes.
Ai veproi në shumë zona të rëndësishme të luftës: Jezerc, Greiqec, Petrovë, Reçak, Mollopolc – kudo ku e kërkonte nevoja e atdheut. Më 13 shtator 1998, në kodrat e Shtimes, ai ra heroikisht, duke lënë pas emrin e një dëshmori që nuk do të shuhet kurrë nga kujtesa e popullit.


