Përplasje mes Komunës së Shtimes dhe OVL-UÇK-së për Organizimin e Manifestimit në Rancë
Një përplasje ka shoqëruar shënimin e 27-vjetorit të daljes publike të UÇK-së në pikën e Rancës, ndërmjet Komunës së Shtimes dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së – Dega në Shtime, bashkë me Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatën e Invalidëve të Luftës.
Dje, OVL-UÇK dega në Shtime publikoi një njoftim zyrtar për anulimin e agjendës, duke theksuar “mosmbështetjen dhe sabotimin nga institucionet lokale”, me theks të veçantë mbi gjendjen e rënduar të shtabit të UÇK-së në Rancë dhe mungesën e përkrahjes financiare nga Komuna. Në këtë deklaratë zyrtare, nga kryetari i degës Isak Musliu dhe përfaqësues të tjerë të shoqatave të dala nga lufta, thuhej:
“Në pamundësi për të realizuar [manifestimin], anulojmë agjendën për nder të 26 Qershorit.”
Vetëm disa orë më pas, Komuna e Shtimes, përmes një ftese publike nga kryetari Qemajl Aliu, shpalli organizimin e një vizite përkujtimore në pikën e Rancës, më 26 qershor, duke ftuar qytetarët, veteranët, familjarët e dëshmorëve dhe invalidët e luftës të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje. Në ftesë thuhej:
“Le të jemi së bashku për të nderuar të kaluarën tonë të lavdishme dhe për të përkujtuar sakrificën për lirinë e Kosovës.”
Rreth dy orë para nisjes së aktivitetit, OVL-UÇK Shtime reagoi fuqishëm, duke akuzuar Kryetarin e Komunës, Qemajl Aliu, për përjashtim të qëllimshëm të përfaqësuesve legjitimëtëluftës dhe për ndërtimin e institucioneve paralele të vlerave të luftës, duke përfshirë individë të veçuar dhe jo organet përfaqësuese të dalura nga lufta.
Në reagimin e plotë të publikuar nga OVL-UÇK Shtime thuhej ndër të tjera:
“Kryetari i Komunës ka krijuar institucione paralele për vlerat e luftës, duke përjashtuar OVL-në dhe shoqatat e dala nga lufta.”
Ata akuzojnë gjithashtu se që nga marrja e mandatit, Kryetari Aliu ka vepruar për të sabotuar dhe paralizuar aktivitetin e organizatave të dala nga lufta për qëllime politike, ndërsa kanë listuar problemet e shumta me të cilat përballen:
- Zyrat e OVL-së jashtë funksionit (pa rrymë, internet, ngrohje).
- Kërkesat për përfshirje në komisione dhe nderimin e dëshmorëve, të injoruara.
- Shtabi në Rancë pa asnjë ndërhyrje për sanimin e dëmtimeve.
- Mungesë totale e mbështetjes financiare.
Për më tepër, OVL e UÇK-së e ka cilësuar organizimin e Komunës si aktivitet paralel që përbën përdhosje të emblemës së UÇK-së, duke paralajmëruar edhe ndjekje ligjore për këtë veprim.
Organizatat e dala nga lufta kanë bërë thirrje për unitet dhe rezistencë ndaj asaj që e quajnë ‘luftë speciale kundër vlerave të UÇK-së’:
“Ftojmë familjarët e dëshmorëve, veteranët, invalidët dhe qytetarët të qëndrojnë bashkë për të kundërshtuar fuqishëm këtë luftë speciale që po zhvillohet kundër vlerave të luftës dhe UÇK-së.”
Kjo përplasje publike sjell në pah një ndarje të thellë dhe tensione të vazhdueshme mes institucioneve lokale dhe organizatave të dala nga lufta, në një komunë që për vite ka qenë simbol i kontributit për liri. Situata mbetet e tensionuar dhe pritet të ketë zhvillime të mëtejshme, përfshirë edhe përballje ligjore, sipas paralajmërimeve të OVL-së.