Në QKMF “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime janë nënshkruar kontrata të reja të punëtorëve shëndetësorë me OJQ-në Caritas Kosova. Por, për dy muaj e gjysmë punë pa pagesë nga këta punëtor – të cilën Qemajl Aliu u kishte premtuar se do t’ua paguante retroaktivisht – tashmë është bërë e qartë se nuk do të kompensohen. Punëtorët janë tërësisht të zhgënjyer dhe ndihen të mashtruar.
Pas përfundimit të kontratës me Caritas më 22 prill 2025, rreth 30 punëtorë shëndetësorë – përfshirë 11 mjekë,15 infermierë dhe 4 punonjës teknikë – janë ftuar në një takim nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF-së, Ilaz Kadrijaj, dhe Mervete Hasani. Në këtë takim, atyre u është kërkuar të vazhdojnë punën vullnetarisht, me arsyetimin se kjo është mënyra e vetme për të garantuar vendin e tyre të punës pas nënshkrimit të kontratës së re.
“Kush vazhdon me punu, unë ju garantoj që do t’ju marrim prapë. Po nuk vazhduat, nuk muj me ju garantu,” – u kishte thënë Kadrijaj.
Pas këtij takimi, punëtorët janë takuar edhe me Qemajl Aliun, i cili u premtoi në mënyrë të drejtpërdrejtë se puna e tyre do të kompensohet deri në ditën e nënshkrimit të kontratës së re me Caritas.
“Ju premtoj se do t’ju paguhet çdo cent për punën tuaj,” – kishte deklaruar Aliu para stafit shëndetësor.
Duke iu besuar fjalëve të dhëna, punëtorët vazhduan me përkushtim të plotë të ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve për më shumë se dy muaj e gjysmë, pa marrë asnjë shpërblim.
Më 18 korrik 2025, punëtorët u ftuan në zyrën e drejtorit për të nënshkruar kontratat e reja në prani të përfaqësuesit të Caritas Kosova, Pal Baftija, UD-drejtorit Kadrijaj dhe menaxheres së kontratës, Fikrije Xhelili. Aty u informuan zyrtarisht se puna e tyre për periudhën prill–korrik nuk do të kompensohet fare.
U shpjegua se kontrata e re është lidhur me datën 15 korrik 2025, dhe se çfarëdo angazhimi para kësaj date nuk është i vlefshëm për pagesë. Ndërkohë, zyrtarët u lavdëruan për rritjen e pagës nga 300 në 400 euro – si një “sukses” i qeverisjes lokale – por “harruan” të përmendin që paga minimale në Kosovë është tashmë 360 euro, dhe kjo rritje nuk është asgjë tjetër veç një detyrim ligjor, jo dhuratë nga Kryetari.
Punëtorët ndihen të tradhtuar dhe të përdorur, ndërsa disa prej tyre, të cilët kërkuan të mbesin anonimë për shkak të frikës nga hakmarrja, deklarojnë:
“Kjo nuk është thjesht shkelje morale, është mashtrim i pastër dhe shfrytëzim i ulët i punës së ndershme të profesionistëve shëndetësorë. Zoti ka me i vra! Na e hëngrën djersën. Ishalla iu mbetet në fyt!”
Ata rikujtojnë se askush prej tyre nuk ka qenë në gjendje të punojë pa pagë, por e kanë bërë për shkak se janë kushtëzuar dhe mashtruar nga kryetari Aliu dhe bashkëpunëtorët e tij të dëgjueshëm.
Kjo nuk është thjesht papërgjegjësi – është një mashtrim i organizuar dhe keqpërdorim flagrant i pozitës zyrtare nga Qemajl Aliu, Ilaz Kadrijaj dhe Mervete Hasani. Ndërkohë, Drejtoresha e Shëndetësisë – sipas stafit – është plotësisht e përjashtuar nga vendimmarrja, duke u reduktuar në një kukull që merret me gjëra të parëndësishme, si përthekimi i uniformave, ndërsa institucionet qëndrojnë në kaos. “Mëkat që një vajzë e dëshmorit, e sjellshme dhe me kulturë të lartë familjare, të degradohet në këtë mënyrë,” thonë punëtorët.
Kryetari ka gënjyer. Premtimi është shkelur me vetëdije. Dhe kjo është një turp i madh për një institucion që duhet të shërbejë me dinjitet. TURP! TURP! TURP!